agenda

Demokratizimi dhe Mireqeverisja


Agenda beson se demokratizimi i mëtejshëm i institucioneve shqiptare dhe një qeverisje më e mirë mund të arrihen vetëm përmes rritjes së numrit të aktorëve që kontribuojnë në debatin publik në Shqipëri. Vetëm ato institucione që janë reaguese ndaj publikut, mund të jenë funksionale në ofrimin e politikave më të mira publike. Gjithashtu në krahun tjetër, qytetarët duhen të jenë të informuar për sa i përket zgjidhjeve të ndryshme dhe kostove dhe përfitimeve të politikave, në mënyrë që të marrin vendime sa më të informuara. AI synon që të vendoset në një pozicion të ndërmjetëm, duke lidhur institucionet me qytetarët, duke dhënë alternativa gjithëpërfshirëse për publikun, si dhe duke e bërë zërin e qytetarëve të vlefshëm përmes mbledhjes, si në mënyra kuantitative ashtu dhe kualitative, analizimit dhe përçimit të opinioneve dhe mendimeve të tyre.


Sipas kësaj perspektive, AI ka për qëllim të përfshihet në fushat studimore dhe të advokimit, duke vendosur në praktikë mekanizma për zhvillimin e politikë-bërjes gjithëpërfshirëse dhe angazhimit qytetar. AI ka arritur të ketë një ndikim domethënës në këto fusha përmes aplikimit të disa projekteve të suksesshme që kanë mbështetur praktikat demokratike dhe kanë nxitur pjesëmarrjen në vendimmarrje. Si për shembull zhvillimin e një procesi gjithëpërfshirës për hartimin e buxhetit të bashkisë Kavajë; përmirësimin e kanaleve të komunikimit në bashkitë e Korçës dhe Beratit; promovimin e politik-bërjes gjithëpërfshirëse për zhvillimin lokal strategjik në 12 bashki të Shqipërisë (Sarandë, Berat, Durrës. Lushnje, Përmet, Pogradec, Korçë, Elbasan, Lezhë, Tiranë, Peshkopi, Vlorë); ndërtimi i kapaciteteve të sindikatave dhe organizatave të shoqërisë civile në marrëdhëniet me politikë-bërësit dhe autoritetet publike në rang lokal, kombëtar dhe Evropian.


Në mënyrë që të përparojë më tej në përmirësimin e qeverisjes dhe forcimin e praktikave demokratike në Shqipëri, AI do të vendosë në funksion tri metoda kryesore:  Mjetet Deliberative Demokratike; Publikimet; dhe Edukimin Demokratik.